Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, sot mbajti takim me përfaqësues të komunave të Kosovës ku i njoftoi për rëndësinë e “Strategjisë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Bizneseve 2023” e cila është një qëllim i qartë i Qeverisë së Kosovës për transformimin e industrisë në vend në një industri më të integruar globalisht që është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe të ofrojë punësim të denjë.
Strategjia e Industrisë u prit mirë dhe u vlerësua lartë nga kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave përkatëse, me çrast ata ofruan mbështetje dhe bashkëpunim në realizimin e planit të veprimit të kësaj strategjie.
Kjo javë ka vazhduar me prezantimin e kësaj strategjie në kuadër të “Ditëve të Biznesit” nëpër të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Pas regjionit të Pejës, prezantimi u bë edhe në komunën e Gjakovës, ku morën pjesë kryetari Ardian Gjini, kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi dhe përfaqësuesit nga komuna e Malishevës Blerim Thaçi, drejtor i Zhvillimit Ekonomik dhe Rexhep Mazreku, këshilltar i kryetarit të Malishevës.
Përveç atyre, të pranishëm ishin edhe shumë përfaqësues të bizneseve kosovare nga këto komuna.
Ndërkaq drejtorja e departamentit të Industrisë, Valbona Dushi, prezantoi objektivat, sektorët prioritar si dhe masat e politikave prioritare.
“Përfaqësuesit e bizneseve diskutuan hapur pikat e Strategjisë Industriale duke falenderuar ministren Hajdari për një qasje transparente dhe mundësi bashkëbisedimi të drejtëpërdrejtë me bizneset”, thuhet në njoftimin e ministrisë.


