Mobilizimi ushtarak i Serbisë nënkupton edhe më shumë trupa të NATO-s në rajon, ka thënë drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, në një reagim pasi ministri serb i Mbrojtjes tha të enjten se Serbia synon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Peci ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kthejë sytë kah ajo që po planifikon Serbia.
“Përpos politikes në Prishtinë dhe Tiranë, perëndimi duhet ta ketë në vëmendje të plotë atë se çfarë është duke bë Serbia në këtë fushë. Armatimi dhe mobilizimi ushtarak i Serbisë nënkupton edhe më shumë trupa ushtarake të NATO-s në rajon për të siguruar paqen dhe stabilitetin rajonal”, ka shkruar ai.
Peci ka shtuar se një vendim i tillë i Serbisë do të ndikojë shqiptarët e Luginës, duke shtuar se përmes tij do të bëhet ndërrimi më tej i strukturës etnike në ato territore.
“Kjo politike e Serbisë përpos që ka për qëllim përgatitjen masive të popullatës për situata luftarake, do të ndikoj edhe në emigrimin e te rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës, pasi edhe ata do të detyrohen të jenë pjesë e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Përmes saj padyshim se do të bëhet në mënyrë të heshtur edhe ndërrimi i mëtutjeshëm i strukturës etnike në këto territore”, ka përfunduar ai.


