Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në lidhje me tërmetin e fortë që goditi Shqipërinë në orët e vona të mbrëmjes së të dielës. Sipas IGJEUM, tërmeti kishte një magnitudë 4.7 ballë të shkallës Rihter dhe epiqendër 3 km larg qytetit të Klosit. Nga informacionet paraprake raportohet për disa dëmtime të lehta në 3 banesa në Njësinë Administrative Xibër.
“Sipas të dhënave paraprake nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile dhe Igjeum, lëkundje tërmeti me magnitudë 4.7 Richter, me epiqendër 3 km në jug të Klosit janë ndier në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sipas të dhënave të deritanishme raportohen disa dëme të lehta në Njësinë Administrative Xibër, Bashkia Klos. Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm më të gjitha Bashkitë e vendit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes
Ndërkohë që Emergjencat Civile raportojnë se “deri tani ka njoftime për demtime në 3 shtëpi të banueshme në Njesine Administrative Xibër”.
Në Durrës raportohet se disa lagje kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërkohë në qytetet e tjera të vendit është raportuar se lëkundjet e tërmetit ishin të forta dhe kanë ngjallur panik tek qytetarët, me shumë prej tyre që kanë dalë jashtë shtëpive si në rastin e Tiranës dhe të bashkisë Bulqizë.
Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të plotë shërbimet e emergjencës dhe u bën thirrje qytetarëve që për çdo problematikë të sinjalizohet në numrin 112 ose zjarrfikësit në numrin 128.


