Si Jeffery Hovenier në Kosovë edhe Christopher Hill është ambasador i ShBA-së veçse ky në Serbi.
Mirëpo, deklaratat e këtij të fundit dallojnë përmbajtësisht nga ato të Hovenierit.
Sipas mendimeve të Hillit, që shprehu në mediat në Beograd, Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja de jure e Pavarësisë së Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, por siç thotë ai, evropianët po kërkojnë vetëm normalizim.
Por, kësaj deklarate të ambasadorit amerikan i kanë reaguar Bashkimi Evropian.
Madje si rrallë herë zëdhënësi i këtij institucioni, Peter Stano, ka pranuar që shteti që udhëhiqet nga Aleksandar Vuçiq, po shkel marrëveshjet e dala nga dialogu duke i vënë theks lobimit të Serbisë kundër Kosovës.
“Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit është e vlefshme dhe e detyrueshme në tërësinë e saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Këtu përfshihet edhe neni 4 i marrëveshjes. Lobimi i Serbisë kundër Kosovës është një shkelje e qartë e Marrëveshjes”, ka thënë Stano.
Këto deklarata janë komentuar edhe nga kabineti qeveritar në Kosovë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, në konferencën pas mbledhjes së qeverisë, ka thënë se Kosova përmes dialogut në Bruksel synon normalizim të raporteve me Serbinë dhe njohje të ndërsjellë.
“Ne si Republikë e Kosovës përmes përfaqësuesit tonë në dialog jemi të përkushtuar që përmes dialogut në Bruksel të arrijmë në marrëveshje që ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njohjen e ndërsjellë, por kjo është vetëm në raport me Serbinë”, ka deklaruar Murati.
Ndërkohë qeverisë së Kosovës i rekomandohet që më shumë se për njohjen nga Serbia të merret me lobimin për anëtarësimin në organizata të fuqishme.
“Kosova mund të jetoj pa njohjen nga Serbia. Ajo që duhet të bërë është orientimi në përfshirjen e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare deri në hyrjen në NATO. Anëtarësimi në NATO është më i rëndësishëm se njohja nga Serbia dhe unë mendoj që kjo është esenca e asaj që tha zotëri Hill”, ka thënë analisti Milazim Koci.
Kosova e Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë qysh nga 14 shtatori i vitit të kaluar, vetëm 10 ditë para se të ndodhte sulmi në Banjskë të Zveçanit.


