Kosova ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta në Kosovë.
“Në përgjigje të kërkesës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në trajtimin e kësaj çështjeje, në përputhje me kushtet e përcaktuara”, ka thënë Kryeziu.
E lidhur me këtë gatishmëri të Qeverisë në detyrë, ambasada e SHBA-së në Kosovë ka thënë se e mirëpresin këtë bashkëpunim.
“Jemi mirënjohës ndaj partneres sonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga Shtetet e Bashkuara dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të këtyre të huajve në vendet e tyre të origjinës. Ne mirëpresim bashkëpunimin në këtë përparësi kyçe të Administratës Trump”, ka thënë për Telegrafin një zëdhënës i ambasadës.
Tutje në përgjigje nga ambasada u tha se nuk i diskutojnë detajet e komunikimeve diplomatike.
Ambasada theksoi se zbatimi i politikave të imigracionit të Administratës Trump është një përparësi kryesore për Departamentin e Shtetit.
Lexo po ashtu:
“Angazhimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është jetik për të penguar migrimin e paligjshëm dhe masiv dhe për të siguruar kufijtë tanë. Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv”, thuhet tutje në përgjigjen e zëdhënësit e ambasadës së SHBA-së.
Ambasada ka shtuar se sekretari Rubio ka theksuar se mbetemi të palëkundur në angazhimin tonë për t’i dhënë fund migrimit të paligjshëm dhe masiv dhe për të forcuar sigurinë kufitare të Amerikës.
Kujtojmë se Qeveria në detyrë, është shprehur e gatshme të diskutojë edhe me Mbretërinë e Bashkuar për ngritjen e “qendrave të kthimit” në Kosovë për azilkërkuesit e refuzuar nga ishulli britanik.