Parlamenti Evropian ka marrë vendim për ta paditur Komisionin Evropian për lirimin e 10.2 miliardë eurove në fondet e ngrira për Hungarinë.
Ky vendim është vulosur të enjten nga kryetarja e Parlamentit, Roberta Metsola, e cila e ka autoritetin përfundimtar për të nisur veprime ligjore kundër institucioneve të tjera përpara Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.
Me këtë padi bëhet presion mbi Ursula von der Leyenit, e cila kërkon një mandat të dytë në krye të Komisionit.
Partia Popullore Evropiane prej nga vjen Von der Leyeni nuk e ka kundërshtuar votimin e së enjtes.
“Ne duam të sigurohemi që paratë e taksapaguesve të jenë trajtuar në përputhje me Traktatet. Kjo nuk është çështje politike për EPP-në e as s’është një çështje zgjedhore, duam vetëm të kemi qartësi ligjore”, tha eurodeputeti Petri Sarvamaa.
Reagimi i ligjvënësve ndodhi pas vendimit të marrë nga Komisioni në dhjetor, i cili zhbllokoi 10.2 miliardë euro në fondet për Hungarinë.
Ekzekutivi argumentoi se lirimi ishte i justifikuar pasi Budapesti ka miratuar në maj të vitit të kaluar një reformë për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të zbutur ndërhyrjen politike në gjykata, në përputhje me standardet e vendosura nga Brukseli.