Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me abuzimet në tjetërsimin e pronave publike në Kosovë, duke përmendur edhe elemente të mundshme të krimit të organizuar.
Sipas saj, për një periudhë të gjatë kohore mijëra hektarë prona publike janë kaluar përmes procedurave të dyshimta, ndërsa institucionet përgjegjëse jo vetëm që kanë dështuar t’i parandalojnë këto raste, por në disa situata dyshohet se kanë kontribuar në këtë fenomen.
Pacolli theksoi se që nga marrja e detyrës si ministre, janë ndërmarrë hapa konkretë për adresimin e kësaj çështjeje. Ajo bëri të ditur se është emëruar drejtori i ri në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe është kërkuar rishikimi i të gjitha rasteve të dyshimta.
“Jemi të vendosur kundër çdo forme të krimit dhe keqpërdorimit të pronës publike, pa asnjë kompromis,” ka deklaruar ministrja.
Ajo gjithashtu përshëndeti aksionin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, duke e cilësuar si hap të mirëpritur, ndonëse të vonuar.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, sipas Pacollit, mbetet e gatshme të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe të ofrojë çdo informacion të nevojshëm për zbardhjen e rasteve dhe rikthimin e ligjshmërisë në këtë institucion.


