Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës kanë kërkuar shkarkimin e Dimal Bashës nga pozita e kryeparlementarit, i zgjedhur ditë më parë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Hysni Gucati, kryetar i OVL e UÇK-së, në një konferencë me gazetarë, theksoi se organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të Bashës nga pozita e kryetarit të Kuvendit dhe, njëherësh, nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Kosovës.
Gucati më tej përmendi arsyet e një kërkese të tillë ndaj Bashës që, sipas tij, janë pjesëmarrja në luftën speciale propagandistike kundër UÇK-së, si dhe lidhjet e tij me persona të dyshimtë, përfshirë bashkëpunëtorë nga Maqedonia e Veriut, duke ndikuar negativisht në zhvillimin dhe integritetin e vendit.
“OVL e UÇK-së kërkon përgjegjësi të plotë për veprimet e menjëhershme nga autoritetet për mbrojtjen e vërtetë dhe nderin e luftës së UÇK-së”, tha Gucati, teksa shtoi se në rast të mospërfilljes së kërkesave të tyre, do të detyrohen të marrin veprime të tjera.


