Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka theksuar faktin se qytetarët serbë të Kosovës që po i konvertojnë targat ilegale të kohës së Milosheviçit në targa legale RKS , po u djegën shtëpitë e veturat nga bandat kriminale që udhëhiqe prej njerëzve që janë në listën e zezë të ShBA-së.
Sipas saj, të gjitha këto veprime të strukturave ilegale, dëshmojnë që kjo në esencë është reformë e sundimit të ligjit, ndërsa tha se pret që në luftën kundër bandave në veri Kosova te merr mbështetje nga BE-ja dhe ShBA-ja.
Ajo edhe një herë gjatë paraqitjes së sotme në një konferencë për media së bashku me presidenten e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, tha se veprimet e Kosovës janë për sundim dhe barazi para ligjit për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Fakti që 90 për qind e serbëve që i përdorin targat legale në Kosovë, është dëshmi që ky veprim nuk është kundër qytetarëve serbë. Ata që nuk i kanë konvertuar, është për shkak të kërcënimeve që po i marrin nga strukturat ilegale. Në luftën kundër bandave dhe në luftën për sundim të ligjit, presim që të kemi mbështetje nga aleatët evropianë dhe nga ShBA-ja. Serbia është shtet që kërcënon me masa antiligjore pse Kosova po e zbaton ligjin. Pra, Serbia kërcënon me dhunë pse Kosova zbaton ligjin”, ka thënë ajo.
Osmani tha se e tëra që institucionet po bëjmë është zbatim i ligjit dhe po i mbrojmë qytetarët pa dallim, ndërsa në anën tjetër Serbia po kërcënon me dhunë e me barrikada, të cilat siç e dini janë shkelje e të drejtës së lirisë së lëvizjes.
“Ne do të punojmë bashkërisht me të gjithë partnerët tanë që mos të lejojmë që këto skenarë ruse të kenë vend në Ballkanin Perëndimor dhe mos të lejojmë që përderisa Serbia ka zgjedhur që të vallëzoj me melodinë e Putinit, që të ketë rezultate në tensionimin e destabilizimin e rajonit tonë”, është shprehur Osmani
Në lidhje me dialogun, ajo ka thënë se Kosova është palë e angazhuar, duke shtuar se ky angazhim nuk do të mungojë asnjëherë.
Ndërkaq edhe presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, foli edhe për çështjen e konvertimit të targave ilegale në RKS, duke u dhënë këtu mbështetje të plotë institucioneve të Kosovës.
“Targat, është shumë e domosdoshme që rregullat dhe ligjet të respektohen në çdo shtet. Nëse ka nevojë për një periudhë tranzicioni duhet të jetë, dhe për këtë me sa di po punohet. Por ligji duhet të zbatohet kudo”, ka thënë Von der Leyen.
Kujtojmë se më 31 tetor përfundon afati i dhënë nga Qeveria e Kosovës për kthim të targave ilegale në ato RKS./KosovaNews/