Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, i cili e uroi për mandatin e ri qeverisës dhe konstituimin e Legjislaturës së 10-të të Kuvendit.
Gjatë takimit u vlerësua lart miratimi i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Kosovën, i cili kap vlerën prej 882.6 milionë euro.
Kryeministri Kurti specifikoi se nga kjo paketë, afër 30% janë grante, ndërsa mbi 70% janë kredi.
Kryeministri Kurti konfirmoi se agjenda e reformave mbetet prioriteti kryesor i qeverisë së re dhe kërkoi hapa konkretë nga Brukseli për procesin e integrimit.
“Është e nevojshme që sa më parë ta marrim statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian. Kjo do të na ndihmojë ta përshpejtojmë agjendën e reformave,” deklaroi Kurti, duke e cilësuar Kosovën si një partner të besueshëm dhe serioz të BE-së.
Nga ana e tij, ambasadori Orav përgëzoi Kosovën për gatishmërinë në zbatimin e reformave dhe për përkushtimin e treguar drejt rrugës evropiane.


