Kuvendi i Kosovës është duke bërë shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka kërkuar largimin e nenit diskriminues që parasheh që secili kandidat që shkon në pension duhet t’i ketë 15 vite përvojë para vitit 1999 për ta gëzuar pensionin kontributdhënës.
“Jemi këtu për të korrigjuar një padrejtësi. Kjo iniciativë është marrë nga AAK bazuar në shqetësimet e qytetarëve. Skemat sociale janë të rregulluara në forma të ndryshme në Kosovë, me ligje të ndryshme. Kërkojmë largimin e nenit diskriminues që parasheh që secili kandidat që shkon në pension duhet ti ketë 15 vite. Kemi rastin kur për një javë pa e përmbushur atë normë të vjetëve janë pensionuar dhe nuk kanë pasur të drejtë ta gëzojnë pensionin kontributdhënës. Kjo nismë ligjore do t’i ndihmojë këta persona në këtë kohë të krizës ekonomike”, ka thënë Dreshaj.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku ka thënë se komisioni përkatës i ka rekomanduar Kuvendit që të mos e përkrahë këtë nismë ligjore.
“Kjo zgjidhje duhet të bëhet në kuadër të reformës pensionale dhe skemave sociale dhe duhet të zgjidhet nga Qeveria aktuale që është duke e bërë reformën pensionale. Kjo Qeveri e ka ndërmend ta zgjidhë këtë çështje. Pse kjo iniciativë nuk është marrë më herët në Qeveritë e kaluara kjo iniciativë është e pasinqertë. Arsyeja pse nuk e përkrahim është forma se si është paraqitë”, ka thënë Kollçaku.
Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se nuk e sheh të logjikshme që të mos mbështetet kjo nismë ligjore me arsyetimin se më vonë do të bëhet reformë.
“Konsideroj që propozimi i AAK-së është me vend i cili përfundimisht eliminon një pabarazi dhe diskiminim që ka ndodhë vjetëve të fundit. Zhargoni 20-vjeçar duhet të hiqet nga diskursi sepse duhet të shihet kur ka hyrë në fuqi ky ligj sepse ky ligj është votuar në Kuvend më 2014. Nuk mendoj që ka logjikë që të mos e mbështesni këtë nismë ligjore me arsyetimin se më vonë do të bëhet një reformë”, është shprehur Haxhiu.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se nenet e ligjit janë të diskriminuese dhe ofenduese.
“Sepse, të punësuarit e viteve 90-ta që janë larguar dhunshëm nga puna nuk mund ta gëzojnë një të drejtë që po u mohohet në mënyrë jodemokratike. Është jodemokratike të mbrojmë me vetëdije dispozita jodiskriminuese. Nëse po e presim një reformë që aty të rregullohet kjo, me kapacitetet qe i ka Qeveria aktuale do të shkojnë deri në 5 vjet deri të përfundojë ajo. Propozoj që të kalohet në lexim të parë, të largohet kjo dispozitë dhe të bashkëpunojmë me Qeverinë që njëherë e mirë ta largojmë këtë temë nga Kuvendi”, ka thënë Zemaj.


