Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), nuk po e pranon faljen e 100 eurove për qytetarët e vendit, sipas ligjit që është miratuar kohë më parë.
Si shenjë kundërshtimi me faljen, AKK e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë.
Dorëzimin e kërkesë për vlerësimin e ligjshmërisë së këtij ligji e bënë drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Prizrenit nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se kjo është ndërhyrje në kompetencat e komunave dhe se me këtë Ligj ato dëmtohen duke ua zvogëluar buxhetin.
Kujtojmë se me plotësim ndryshimin e fundit në Ligjin për Tatimin në Pronë, qytetarëve u falen nga 100 euro nga kjo taksë.
Ditë më parë ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Tatimin në Pronë, u takon kuvendeve komunave që të marrin vendim për zbritjen prej 100 eurove për qytetarët.
“Për sa i përket Ligjit për Tatimit në Pronë, pra ndryshimi që është miratuar, parasheh zbritjen e 100 eurove ose deri në lartësinë e faturës për secilin tatimpagues… Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, komunat e kanë të domosdoshme që të marrin vendime. Tash iu takon kuvendeve komunale që deri më 16 shtator ta miratojnë zbritjen për qytetarët në mënyrë që këta të fundit të përfitojnë”, ka thënë Murati.


