Podujeva është pajisur me një kamion për zjarrëfikje, me autoshkallë 32 metra. Këtë e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Pas ndarjes së dy kamionëve për intervenime në objekte të larta dhe në distanca të mëdha, sot dorëzuam edhe kamionin e tretë për zjarrfikje, të pajisur me autoshkallë 32 metra, kësaj radhe në Komunën e Besianës. Bashkë me Kryetarin e Komunës Shpejtim Bulliqi, Sekretarin e MPB-së Genc Metaj, dhe ushtruesin e detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të AME-së Shefki Abdullahu, Njësisë së Zjarrfikësve u dorëzuam zyrtarisht këtë kamion për t’u shërbyer në kryerjen e detyrave të tyre”, ka bërë të ditur ai.
Sveçla tha se përmes investimeve të vazhdueshme në pajisje moderne dhe forcimit të kapaciteteve operacionale, po u krijojnë zjarrfikësve kushtet e nevojshme për reagim më të shpejtë, më efikas dhe më të sigurt, në shërbim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së çdo qytetari.


