Kanë nisur punimet për asfaltimin e rrugës Fshati i Vjetër – Komogllavë, një projekt infrastrukturor që po realizohet në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dhe Komunës së Ferizajt.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka qëndruar në terren për të përcjellë nga afër fillimin e punimeve, duke e cilësuar projektin si të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe qarkullimit në këtë zonë.
Vlera e kontratës për realizimin e projektit është 1.54 milionë euro, ndërsa Memorandumi i Bashkëpunimit kap vlerën prej 1.3 milionë euro. Vetëm për vitin 2026, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka ndarë 600 mijë euro për realizimin e punimeve.
Sipas ministrisë, investimet në infrastrukturën rrugore synojnë përmirësimin e kushteve të qarkullimit, rritjen e sigurisë në trafik dhe ofrimin e një infrastrukture moderne për qytetarët.


