Për gati tre muaj, në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës, janë regjistruar 2159 lindje, 1108 martesa dhe 1063 vdekje, të cilat më herët kanë qenë të regjistruara në strukturat paralele serbe.
Regjistrimet janë bërë bazuar në vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të nëntorit të vitit të kaluar, që u ka mundësuar qytetarëve serbë që faktet mbi gjendjen civile t’i regjistrojnë në Regjistrin e Kosovës.
“Deri tani, vendimi është duke u zbatuar me suksese të plotë për të gjitha kategoritë që rregullohen prej tij dhe gjatë periudhës 01.02.2025 deri me 25.04.2025, janë realizuar gjithsej 4330 regjistrime, përfshirë: 2159 lindje, 1108 martesa dhe 1063 vdekje”, thuhet në njoftim.
Sipas vendimit regjistrimi i fakteve ka mundur të behet nga data 1 shkurt e këtij viti dhe do të mund të behet deri më 30 prill të po këtij viti.
Në një njoftim për media MPB-ja u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të shfrytëzojnë edhe kohën e mbetur për t’i regjistruar faktet e gjendjes civile në Regjistrin e Kosovës.
“Ftojmë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën për regjistrim të fakteve sipas vendimit Nr. 0616/2024 të datës 21.11.2024 deri me datë 30 prill 2025, ndërsa pas kësaj date, faktet e gjendjes civile (lindja, martesa dhe vdekja) që janë regjistruar në strukturat jo-legale serbe nga data 10 qershor 1999 deri në datën 1 shkurt 2025, nuk do të mund të regjistrohen në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Të drejtën për parashtrimin e kërkesës për regjistrimin e fakteve sipas këtij vendimi thuhet se e kanë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë regjistruar faktet e gjendjes civile (lindjen, martesën dhe vdekjen) në strukturat jo-legale serbe, nga data 10 qershor 1999 deri në datën 1 shkurt 2025.
“Njoftojmë qytetarët se për faktet, përkatësisht lindjet dhe vdekjet që kanë ndodhur pas datës 1 shkurt 2025 në territorin e Republikës së Kosovës, qoftë jashtë institucioneve shëndetësore dhe atyre për të cilat nuk mund të ofrohet si dëshmi ndonjë certifikatë apo dokument, të parashtrojnë kërkesë për regjistrim të mëvonshëm përmes deklarimit, pranë Zyrave të Gjendjes Civile në komunat e tyre përkatëse”, thuhet në njoftim.
Trajtimi i kërkesave, kriteret dhe procedura thuhet se do të zhvillohet në pajtim me legjislacionin e gjendjes civile.