15 ditë pas testimeve të qarkores njëkahëshe brenda qendrës së qytetit të Prishtinës, Taskforca e Komunikacionit do t’i drejtohet me rekomandime kryetarit Përparim Rama, nëse ato rezultojnë me të dhënat e nevojshme. Në të kundërtën, sipas Taskforcës do të bëhet edhe një test tjetër. Kryetari i kësaj Taskforce, Halil Halili, ka thënë se këto të dhënat do të shndërrohen në rekomandime për mënyrë se si do të bëhen ndryshime infrastrukturore për ta rregulluar trafikun.
E shtuna ka qenë dukshëm me e qetë përkundër se ka vazhduar testi në rrugët e kryeqytetit.
Për dallim nga e premtja, qarkullimi në unazën e qendrore ka qenë më i lehtë.
Qytetarët kanë thënë se janë dy arsye për këtë, e para se është vikend e ka më pak vetura dhe e dyta se kanë filluar të mësohen.
“Dje ishte katastrofë, sot është më mirë, por sot është e shtunë normalisht që nuk ka shumë qarkullim. S’ka…Këtu zgjidhja e vetme është ose nënkalim ose mbikalim. Përndryshe këto eksperimente nuk janë funksionale”, ka thënë një qytetar.
“Ideja është e mirë, por realizimi është i gabuar se s’kemi ende infrastrukturë të mjaftueshme për t’u realizuar kjo unazë. Rrugët nuk janë të organizuara mirë dhe dje ishte dita më e ngarkuar me vetura dhe është bërë në ditë të gabuar, besoj unë”, ka deklaruar qytetari Martir Morina.
“E bëra krejt xhiron me makinë edhe nuk pashë kurrfarë problemi. Si duket njerëzit kanë filluar të mësohen pak se dje si duket nuk i kanë përdorur të dyja korsitë, ndërsa sot seriozisht po e shoh që shumë shpejt mund ta bësh një xhiro në qytet. Duhet të mësohemi që nuk duhemi të shkojmë edhe në lokale edhe nëpër shtëpi me vetura”, ka thënë Bujar Hoxha.
Por në Komunën e Prishtinës kanë thënë se janë afër përfundimit të këtyre testeve.
Halil Halili, shef i Taskforcës së Komunikacionit, ka thënë se testi i së dielës do të jetë i fundit nëse rezulton se kanë mbledhur të dhëna të mjaftueshme për trafikun.
“Në qoftë se marrim informata të duhura ne besoj se do ta shqyrtojmë edhe një test në qoftë se është e nevojshme e në qoftë se kemi informata të duhura që na i plotësojnë këto parametrat e nevojshme, por do ta shikojmë me taskforcën ku edhe janë edhe anëtarët e tjerë që do ta bëjnë vlerësimin”, ka thënë Halili.
Ka shtuar se kryetarit Rama do t’i jepet raporti me rekomandime më pak se një muaj pasi t’i mbledhin të gjitha të dhënat e nevojshme.
“Nëse kemi informata, 15 ditë mund të jenë. 15 deri në 20 ditë. Ne duhet të marrim informata. Ne duhet të dalim edhe një herë në terren ta marrim edhe ditën normale të së hënës e të së martës, të dalim edhe një herë ta marrim edhe një matje, edhe një konstatim. Ka edhe pak punë, por besoj ia arrijmë e ia dalim… Ne e dërgojmë raportin te kryetari si Taskforcë”, ka thënë ai.
Sipas Halilit, të dhënat që po i mbledh Tasfkorca do të shndërrohen në rekomandime për Komunën e Prishtinës, në mënyrë që të bëhen ndryshime infrastrukturore për ta rregulluar trafikun në unazën kryesore të kryeqytetit që mundëson qarkullimin njëkahor dhe për ta zgjatur sheshin deri te katedralja.
Testimi i qarkullimit njëkahor në unazën e qendrës së Prishtinës vazhdon edhe të dielën.