Ministria e Mbrojtjes sot ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, qëllimi i së cilës është bashkëpunimi me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në ofrimin dhe realizmin e trajnimeve në fushën e sigurisë ushqimore.
Nënshkrimin e kësaj marrëveshje e kanë bërë të martën ministri Armend Mehaj dhe ministri Faton Peci.
Bazuar në Marrëveshjen në fjalë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), merr përsipër që të përkrahë trajnimin e personelit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, në fushat e caktuara dhe brenda kapaciteteve të AUV.
“Në kuadër të këtyre fushave të trajnimeve, ndër të tjera përfshihen trajnimet për fushën e inspektimit në aspektin e sigurisë ushqimore, higjienës së objekteve të punës dhe mjeteve të transportit, inspektimi i higjienës së ushqimit, personelit, i ambientit që rrethon objektin etj”, ka thënë ministri Mehaj.
Po ashtu bëhet e ditur se AUV do të ofrojë përkrahje edhe në edukimin e stafit profesional ku Departamenti Mjekësor në Ministrinë e Mbrojtjes ka interes për ngritjen e shkathtësive për fushat e përcaktuara sipas marrëveshjes.


