Mesditën e së hënës kanë mbërritur në Kosovë edhe dy gazetarë ukrainas.
Maryna Zhyvotkova dhe Viktoriia Kaidash janë pritur në aeroport dhe qëndrimi i tyre në Kosovë mundësohet nga programi “Journalists in Residence – Kosovo”, që financohet nga Qeveria e Kosovës, ka njoftuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Më herët si pjesë e programit, ishin strehuar edhe katër gazetarë.
Programi “Journalists in Residence – Kosovo” u mundëson gazetarëve ukrainas, të ikur nga lufta, të përfitojnë pagë mujore, pagesë të qirasë dhe sigurim shëndetësor.
Sipas njoftimit, ditëve të ardhshme pritet të vijnë edhe disa gazetarë të tjerë nga Ukraina.
Ky program është iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës.
Si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur në muajin mars se është e gatshme të strehojë 20 gazetarë ukrainas andaj ka ndarë 150,000 euro për strehimin e tyre gjashtëmujor.
Perëndimi është përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë.
Qeveria e Kosovës ka vënë sanksione kundër Rusisë, në linjë me Perëndimin, si dhe ka shprehur gatishmëri edhe për strehimin e rreth 5,000 qytetarëve ukrainas që i ikin luftës.


