Në fshatin Gllanasellë të komunës së Drenasit sot janë zbuluar 2 pllaka përkujtimore. Njëra për shtëpinë-bazë të ilegales së UÇK-së dhe tjetra për dëshmorin Hamit Lladrovci. Me këtë rast u tha se këto do të jenë pllaka të kujtesës historike, derisa kryetari i Komunës tha se edhe mijëra të tjera do të vendosen në çdo shtëpi bazë ku ka vepruar UÇK-ja.
Dikur ishte objekti i shtëpisë bazë të ilegales së UÇK-së. Sot ky vend është shndërruar në një kujtesë historike, e cila ndër gjenerata do të kujtojë lavdinë e luftës së UÇK-së.
Andaj në vendin ku dikur operonte UÇK në fshatin Gllanasellë të Drenasit u vendos edhe një pllakë memoriale. Një pllakë tjetër u vendos edhe për dëshmorin Hamit Lladrovci.
Në ceremoninë e vendosjes së këtyre pllakave u tha se ato janë pjesë e historisë së lirisë së vendit.
“Do të jenë pllaka të kujtesës historike dhe që me mijëra pllaka të tilla do të duhet e do të vendosen në çdo shtëpi bazë”, tha Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit
“Ky është një moment i rëndësishëm për te gjithë ne Hamit Lladrovci ishte një burrë i jashtëzakonshëm, një burrë i fuqishëm dhe nuk trembej në përballje me sfidat e kohës së ilegales”, tha Enver Hajdari, kryetar i OVL UÇK-së në Drenas.
“Pllakat që po i përurojmë sot janë bërë pjesë e historisë së lirisë sonë. Janë bërë pjesë e udhës së madhe të Bashkimit Kombëtar Janë themelet e lirisë dhe janë clirimi shekullor nga robëria serbo-sllave”, tha Ferki Karaxha, ish ushtar i UÇK-së.
Në këtë ceremoni u vlerësua angazhimi i të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës.


