Presidenti shqiptar, Bajram Begaj iu është bashkuar reagimeve ngushëlluese për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur, Mirush Kabashi.
Begaj thekson se Kabashi mbajti gjallë artin dhe ngriti në peshë sallat kudo ku performoi.
“Lamtumirë Artistit që mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin dhe ngriti peshë sallat kudo performoi! Lamtumirë “Nder i Kombit”, Mirush Kabashi!”, shkruan Begaj.
Për vdekjen e arstistit të madh ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.
“LAMTUMIRË MIRUSH”, ka shkruar shkurt Rama.
Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shprehet se shqiptarët do ta kujtojnë për veprën dhe trashëgiminë e tij.
“Artisti i Merituar Mirush Kabashi u nda sot nga jeta. Por shqiptarët do ta kujtojnë për veprën dhe trashëgiminë e tij. Mirushi ishte një artist i madh. Me krijimtarinë e tij u dha jete veprave të mëdha artistike, nga vendi dhe arti botëror. Metalentin e tij, me mbi njëqind personazhet që krijoi në skenë dhe në ekran, Mirush Kabashi na bëri të mendojmë, të reflektojmë, shpesh edhe të qeshim, për problemet e mëdha të shoqërisë. U prehsh në paqe, Mjeshtri ynë i madh dhe i paharruar!”, shkruan Nikolla.
Kolosi i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, fituesi i “Sfinksit të Artë” mes aktorëve nga e gjithë bota me interpretimin e “Apologjisë së Sokratit”, mbylli sytë në moshën 75-vjeçare.