Prishtina do të ketë një shkollë të re brenda 3 vjetëve.
Ministria e Arsimit, nën drejtimin e ministres Arbërie Nagavci, ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e një shkolle të re në lagjen “Prishtina e re”, projekt ky që pritet të përfundojë në një periudhë prej 36 muajsh.
Fillimisht, vlera e kontratës ishte parashikuar të ishte 3,500,000.00 euro, por ajo është finalizuar në një vlerë më të ulët, prej 3,323,232.32 eurosh.
Sipas informacionit të publikuar nga E-prokurimi, tenderi më i lartë i ofruar ishte 3,447,243.21 euro, ndërsa fitues i tenderit u shpallën operatorët ekonomik nga Suhareka, CONSTRUMAX SH.P.K. dhe HARST Group SH.P.K.
Sipërfaqja e shkollës do jetë prej 6430.00m² dhe ka kapacitet për 800 fëmijë.
Ky projekt është një hap i rëndësishëm për Ministrinë e Arsimit dhe për qytetin e Prishtinës, që do të sjellë përmirësime të konsiderueshme në kushtet për mësim dhe edukim.
