Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagvci, së bashku me Drejtorin e Departamentit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, Lah Nitaj dhe u.d. Drejtorin e Departamentit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës, Burim Gashi, kanë pritur në takim drejtorin e edicionit të 42-të të Seminarit të Gjuhës, Kulturës dhe Letërsisë Shqiptare, Bardh Rugova dhe profesorët që ligjërojnë në këtë seminar.
Ministrja Nagavci ka ritheksuar mbështetjen institucionale për këtë organizim të rëndësishëm për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqipe, mbështetje e cila ishte bërë e ditur edhe në takimin që ditë më parë patën së bashku me Kryeministrin, ku edhe ishte vlerësuar puna dhe kontributi i pjesëmarrësve të Seminarit për albanologjinë.
Ministrja Nagavci tha se, ky është viti i 50-të me radhë i themelimit të Seminarit dhe edicioni i 42-të i tij, që reflekton jo vetëm një gjysmë shekulli aktivitet i njerëzve të devotshëm, që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për albanologjinë, por që reflekton edhe periudhat e historisë sonë.
Në fund, ministrja Nagavci theksoi se, MAShTI ka mbështetë në mënyrë modeste Seminarin dhe qëllimi është të tregojmë që jemi në të njëjtën linjë, ndërsa i inkurajoi se do të mbështesë projekte të tjera të ngjashme, të cilat janë të dobishme për gjuhën dhe kulturën tonë.
Të ardhur nga 14 vende të ndryshme të botës, me dashurinë dhe përkushtimin akademik ndaj gjuhës dhe kulturës sonë, profesorët dhe profesoreshat e nderuara ndanë përvojat e tyre të Seminarit që nisin nga vitet ’70 e deri më sot.
Mes të tjerash, pjesëmarrësit ofruan rekomandime të dobishme për promovimin e gjuhës shqipe në universitetet e tyre në forma të reja.