Anëtarja e Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Arbërie Nagavci, ka theksuar angazhimin e saj për zbatimin e plotë të politikave dhe reformave të nisura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Në një reagim publik pas mbledhjes së sotme të Komisionit, Nagavci bëri të ditur se në kuadër të përgjegjësive të saj shtesë si anëtare e këtij komisioni, do të kontribuojë me përkushtim për avancimin e proceseve reformuese në arsim.
“Në kuadër të përgjegjësive të mia shtesë si anëtare e Komisionit për Arsim, do të angazhohem me përkushtim për zbatimin e plotë të politikave dhe reformave të nisura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka shtuar se do të ofrohet mbështetje e plotë për ministrin Çeku, me synim rritjen e cilësisë, transparencës dhe llogaridhënies në institucionet arsimore.
“Do të ofrojmë mbështetje të plotë për ministrin Çeku, me qëllim rritjen e cilësisë, transparencës dhe llogaridhënies në institucionet arsimore”, është shprehur ajo.
Nagavci theksoi se këtë angazhim e ka ritheksuar edhe gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional për ndërtimin e një sistemi arsimor më cilësor dhe gjithëpërfshirës për të gjithë.


