Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme që shfuqizon një nen të Udhëzimit Administrativ për Veteranët e Luftës së UÇK-së. Përmes një postimi në Facebook, Murati ka dhënë një sqarim të detajuar për publikun lidhur me këtë çështje.
Murati ka thënë se Gjykata Supreme sot ka publikuar Aktgjykimin për shfuqizimin e një neni të një Udhëzimi Administrativ për Veteranët e Luftës së UÇK-së, udhëzim ky i miratuar në vitin 2015 në kohën e Qeverisë së përbërë nga koalicioni PDK-LDK.
Pra, nuk bëhet fjalë për shfuqizim të ndonjë Udhëzimi Administrativ të miratuar përgjatë mandatit të Qeverisë Kurti. Prandaj, ftoj edhe mediat të përmbahen nga raportimet tendencioze që gabimisht tentojnë ta prezantojnë këtë si vendim të Gjykatës që shfuqizon ndonjë akt nënligjor të Qeverisë Kurti.
Sipas tij, në fakt, ishte pikërisht kryeministri Kurti ai që paralajmëroi se kufizimi i punësimit për Veteranët e Luftës së UÇK-së do të hiqet.
Më tej, Murati ka sqaruar edhe përmbajtjen e nenit që është shfuqizuar nga Gjykata Supreme:
Çka parashihte neni i kontestuar i Udhëzimit Administrativ?
Ai nen parashihte që për të aplikuar për benefitin e Veteranit të UÇK-së, ndër tjera duhej dorëzuar edhe dëshminë nga ATK që Veterani nuk ishte i punësuar.
Ai ka shpjeguar edhe arsyet pse Gjykata Supreme ka vendosur ta shfuqizojë këtë nen:
Pse e shfuqizoi Gjykata Supreme këtë nen të Udhëzimit Administrativ?
Sepse Gjykata e konsideroi që bie ndesh me nenin 16A të Ligjit të ndryshuar/plotësuar për Veteranët e Luftës së UÇK-së. Ky ndryshim/plotësim ishte bërë në vitin 2017, poashtu gjatë kohës kur vendi qeverisej nga koalicioni PDK-LDK.
Murati ka theksuar se Neni 16A parashihte kategorizimin e Veteranëve në tri kategori, sipas periudhës së pjesëmarrjes në luftë, dhe pas përfundimit të këtij kategorizimi parashihte edhe mundësinë që Veteranët që punonin jashtë sektorit publik të mund të përfitojnë 50% të shumës së benefitit sipas kategorisë përkatëse.
Sipas tij, interpretimi mbizotërues i deritanishëm në lidhje me këtë paragraf që mundëson përfitimin e benefitit edhe për ata që punojnë jashtë sektorit publik ka qenë që, parakusht i zbatimit të këtij paragrafi është përmbyllja e kategorizimit të Veteranëve sipas paragrafit 4 të nenit në fjalë.”
Ministri ka njoftuar se do të shqyrtojnë me zyrën ligjore nëse Aktgjykimi i Supremes është i mjaftueshëm për t’u mundësuar përfitime Veteranëve që punojnë jashtë sektorit publik.
“Ne do të analizojmë me zyrën ligjore në MFPT nëse Aktgjykimi i sotëm i Supremes është i mjaftueshëm që t’u mundësohet përfitimi i benefitit edhe Veteranëve të UÇK-së që punojnë jashtë sektorit publik, edhepse kategorizimi i paraparë sipas Nenit 16A nuk është bërë deri më tani, apo nëse ka nevojë për ndryshime ligjore shtesë të cilat edhe ashtu kanë qenë në plan”, ka thënë Murati.
Në fund të reagimit të tij, Murati ka theksuar se zotimi i kryeministrit Albin Kurti për këtë çështje do të realizohet: “Sido që të jetë, kryeministri Kurti tashmë e ka dhënë zotimin publik, dhe ne do të punojmë për ta jetësuar atë zotim sa më parë.”


