Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, gjatë një takimi me përfaqësuesit e ndërmarrjes “Gjelbër”, shprehu shqetësimin e thellë për situatën që kanë kaluar punëtorët e kësaj ndërmarrjeje për shkak të bllokadës së buxhetit nga Qeveria e Kosovës. Ai tha se kjo bllokadë po dëmton jo vetëm punëtorët, por edhe shërbimet publike jetike të kryeqytetit, duke e cilësuar atë si të pajustifikueshme, të paligjshme dhe me prapavijë politike.
Nga ana tjetër, Ministri i Financave, Hekuran Murati, e kundërshtoi me forcë akuzën e Kryetarit Rama dhe tha se përgjegjësia për situatën financiare të ndërmarrjeve publike qëndron te menaxhimi i Komunës së Prishtinës. Sipas Muratit, Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë kompetencë për të bllokuar buxhetin e ndonjë komune dhe theksoi se dështimi i menaxhimit të komunës ka çuar në kolapsin financiar të ndërmarrjeve, përfshirë ato që financohen nga tarifat për shërbimet e ofruara.
“Ndërmarrjet publike komunale janë nën menaxhimin e komunës dhe qeveria qendrore s’ka asnjë kompetencë tek to. Shumica e ndërmarrjeve publike në Komunën e Prishtinës aktualisht gjenden para kolapsit financiar për shkak të keqmenaxhimit e mbipunësimit që ka bërë qeverisja e Përparim Ramës,” tha Murati, duke shtuar se kjo është arsyeja kryesore e krizës dhe se çdo përpjekje për të hedhur fajin tek qeveria është e pabazë.
Ministri Murati përmendi gjithashtu se Komuna e Prishtinës ka dështuar të kalojë projekt-buxhetin brenda afatit ligjor, duke i krijuar vetvetes një bllokadë të brendshme. Ai theksoi se kjo ka ndikim të drejtpërdrejtë në financimin e projekteve që financohen nga partnerët ndërkombëtarë, duke e rrezikuar implementimin e tyre.


