Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se investimet në Trainkos po japin rezultate si në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, ashtu edhe në performancën financiare të ndërmarrjes, duke veçuar riparimin e pesë vagonëve, rritjen e numrit të udhëtarëve dhe uljen e shpenzimeve.
Duke folur në RTK, Rizvanolli tha se javën e kaluar vizitoi Trainkosin dhe udhëtoi me tren në linjën për Pejë për të parë nga afër investimet e realizuara.
“Në javën e kaluar së bashku me kolegët e ministrisë edhe me bordin e Trainnkosit dhe menaxhmentin e bëmë një udhëtim në linjën për Pejë edhe i pamë për së afërmi vagonët që janë riparuar”, tha ministrja.
Ajo bëri të ditur se investimi ka qenë në vlerë prej 423 mijë eurosh dhe investimi ka përmirësuar kushtet e udhëtimit.
“E pamë që udhëtimi është bërë më i rehatshëm dhe gjithashtu tani biletat mund të paguhen edhe përmes përmes kartelës bankare”, tha ajo.
Ministrja tha se ekziston edhe mundësia e biletave mujore për udhëtarët e rregullt.
Rizvanolli theksoi se Trainkosi ka shënuar rritje të vazhdueshme të numrit të udhëtarëve që nga viti 2021.
“Trainkosi që nga viti 2021 ka pasur rritje të dukshme në numrin e udhëtarëve, rreth 33%. Nga 61.000 që i ka pasur në 2021, në 2025 i ka pasur 88.000. Ndërsa në 2026 pritet që të ketë një rekord prej 100.000 udhëtarësh”, tha ajo.
Rizvanolli tha se një pjesë e kësaj rritjeje lidhet edhe me luftimin e keqpërdorimeve në inkasimin e biletave.
“Trainkosi në fund të vitit 2024 ka pasur dyshime që disa prej punëtorëve të tij janë duke keqpërdorur me inkasimin e biletave dhe e ka ndërmarrë një hap për me i zbuluar edhe me raportu rastin në prokurori dhe me i përjashtu këta punëtorë. Rasti është ende duke u trajtuar. Nuk kam informatë nëse prokuroria ka ndërmarrë ndonjë hap, mirëpo megjithatë duket se me të vërtetë ka pasur keqpërdorim në atë kuptim që të dhënat tregojnë që nga viti i kaluar për gati 20.000 udhëtarë është numri i udhëtarëve të regjistruar dhe për 20.000 euro janë të hyrat shtesë”, tha ajo.
Sipas Rizvanollit sigurisht një pjesë e kësaj është rritje reale e udhëtarëve, mirëpo gjithashtu ajo theksoi se edhe luftimi i skemës së keqpërdorimit ka pasur ndikim.
Ministrja në detyrë tutje tha se ndërmarrja ka përmirësuar ndjeshëm edhe performancën financiare.
“Për Trenkosin, shpenzimet në krahasim me vitin 2021 janë ulur për gati 1.5 milion euro ose për 44%. Do të thotë e njëjta ndërmarrje për të njëjtin shërbim i ka ulur për gati 1.5 milion shpenzimet”, tha ajo.
Tutje shtoi se kursimet janë bërë në shpenzime administrative dhe operative.
Rizvanolli bëri të ditur se ndërmarrja ka ulur edhe numrin e punëtorëve përmes pensionimeve dhe masave disiplinore, ndërsa njëkohësisht ka rritur pagat.
“Numri i punëtorëve është ulur paksa për 60 punëtorë si rrjedhojë edhe e pensionimeve dhe masave disiplinore që janë marrë në disa raste, edhe ndërmarrja i ka rritur pagat për 160 euro. Tani paga mesatare është 680 euro ose 25 për qind ka rritje”, tha ministrja.
Sipas saj, Trenkosi është shembull se rezultatet arrihen përmes menaxhimit të mirë. “Çfarë po dua të them është që rastet si ky, dhe nuk është sigurisht Trainkosi i vetmi, tregojnë që kur ka menaxhim të mirë, kur ka përkushtim, rezultatet janë aty. Edhe nëse rezultatet nuk vijnë aq shpejt sa kemi dëshirë, rezultatet edhe te shërbimi i qytetarëve, edhe financiar, edhe rritja e pagave të punëtorëve, të gjitha mund të vijnë kur ka një menaxhim të mirë”, nënvizoi Rizvanolli.


