Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me intensifikimin e rasteve të ndalimeve dhe arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Serbisë.
Në një reagim zyrtar, MPJD thekson se këto veprime përbëjnë shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe standardeve themelore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Si shembull konkret përmendet rasti i fundit i ndalimit të ish-punonjësit të Policisë së Kosovës, z. Arbnor Spahiu, në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë – rast që konsiderohet dëshmi e qartë e praktikave të papranueshme dhe destruktive nga ana e Serbisë.
Në këto rrethana, MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës përfshirë ata që jetojnë në diasporë dhe planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës që të shmangin kalimin përmes pikëkalimeve kufitare me Serbinë. Ministria inkurajon përdorimin e rrugëve alternative dhe pikave të tjera kufitare, me qëllim të garantimit të sigurisë personale dhe shmangies së situatave të rrezikshme.
MPJD ka bërë të ditur se po ndjek nga afër situatën dhe është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të adresimit të këtyre shkeljeve sistematike dhe garantimit të të drejtave dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës.