Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe përfaqësuesit e strehimoreve kanë falenderuar Ambasadën Amerikane dhe partnerët e tjerë për mbështetjen e parezervë në adresimin e dhunës në familje, në një takim të përbashkët gjatë ditës.
Në një postim në profilin e saj në Facebook, ministrja Haxhiu ka thënë se adresimi i dhunës në familje është prioritet i Qeverisë.
“Mbështetja për strehimoret e viktimave të dhunës në familje dhe viktimat e trafikimit është jetike për funksionimin e duhur të tyre”, ka thënë Haxhiu.
“Duke qenë që për herë të parë adresimi i dhunës në familje është prioritet i Qeverisë, sot së bashku me përfaqësueset e strehimoreve, falenderuam Ambasadën Amerikane për mbështetjen në vlerë prej 200 mijë euro për strehimoret.
Jam shumë e lumtur që në këtë rrugëtim aq sfidues kemi mbështetjen e parezervë të partnerëve tanë serioz e strategjik. Vetëm bashkimi i gjitha forcave do të ndryshojë gjendjen dhe do të minimizoj rastet e dhunës në familje”, ka shkruar ministrja Haxhiu në profilin e saj./ KosovaNews.




