Për aksionin sotëm të policisë së Kosovës kundër plaçkitësve të armatosur, ka reaguar Ministri i Punëve të Brendshme (MPB) Xhelal Sveçla, i cili thotë se rendi dhe ligji do të mbizotërojnë në çdo cep të shtetit, ndërsa vendi i kriminelëve, siç thotë ai, është në burg. Sveçla tregon se në aksionin e sotëm një grabitës të vrarë dhe një polic është plagosur, ndërsa për këtë rast janë arrestuar shtatë persona.
“Një javë më parë vendi ynë u terrorizua nga një plaçkitje e armatosur nga persona të maskuar në qendër të qytetit të Suharekës, ku një zyrtar policor mbeti i plagosur dhe një i lënduar. Akte të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë. Për këtë, Policisë së Kosovës i kam ofruar mbështetjen time të plotë institucionale si dhe kam kërkuar angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti”, thotë Sveçla në Facebook .
Ai thotë se sot është njoftuar që Policia e Kosovës pas një pune intensive hetimore ka lokalizuar plaçkitësit dhe ka realizuar operacionin e arrestimit të tyre.
“Njëri nga të dyshuarit ka shtënë drejt zyrtarëve duke plagosur një zyrtar policor dhe me këtë rast i njëjti është neutralizuar. Deri më tash janë arrestuar shtatë persona ndërsa Policia është në kërkim të personit tjetër të përfshirë në këtë rast. Dy zyrtarëve policorë të cilët janë plagosur dhe zyrtarit të lënduar në reagim dhe arrestim të të dyshuarve të këtij rasti ju uroj shërim të shpejtë”, thotë Sveçla.
Vendi i kriminelëve, sipas tij, është burgu, “dhe ky është mesazh i qartë dhe i prerë që duhet të marrë kushdo që tenton që për çfarëdo arsye të destabilizojë sigurinë në Kosovë”.
“Krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar sepse Republikën e Kosovës nuk do ta lejojmë të bëhet vend i pasigurisë. Rendi dhe ligji do të mbizotërojnë në çdo cep të saj”, ka shkruar Sveçla.
Ndryshe, Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion në kryeqytet në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore të Prizrenit, me qëllim zbardhjen e rastit të grabitjes së armatosur që ndodhi me datën 22.11.2023 në Suharekë, ku kishte mbetur i plagosur një zyrtar policor.


