Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka ngritur disa pyetje lidhur me një skandal të ndodhur më herët, ku pjesë e rezervës shtetërore të grurit janë zhdukur në një periudhë kohe. Ai ka përmendur një kontratë të nënshkruar në vitin 2016 nga Ministria për Tregti dhe Industri (MTI), e udhëhequr nga Hykmete Bajrami, me kompaninë “Universal Food” për ruajtjen dhe deponimin e 4.67 milionë kilogramëve grurë.
Në vitin 2019, Ministria për Tregti dhe Industri, tash nën udhëheqjen e Endrit Shalës, ka kontraktuar një kompani tjetër, “Barileva”, për të ruajtur dhe depozituar të njëjtën sasi gruri. Mirëpo, kur ka filluar transferimi i grurit nga depoja e “Universal Food” në atë të “Barileva”, janë gjetur vetëm 2.15 milionë kilogramë, ndërsa mungonin edhe 2.52 milionë kilogramë të tjera, që ishin dorëzuar në vitin 2016. Kjo mungesë e grurit ka një vlerë tregu prej rreth 600 mijë eurosh.
Ministri Murati ka kërkuar të dijë se a ka bërë Prokuroria Speciale ndonjë hetim për këtë rast dhe a janë ndjekur për këtë çështje ministrat Hykmete Bajrami dhe Endrit Shala.
“Pra, 2.52 milionë kilogramë grurë, me vlerë tregu rreth 600 mijë euro, ishin zhdukur.
A i kujtohet dikuj se a ka bërë Prokuroria Speciale arrestime të stafit të MTI për këtë rast?
A e ka hetuar Prokuroria Speciale ndonjërin nga ministrat, Hykmete Bajramin apo Endrit Shalën për këtë rast?
Sa debate janë mbajtur për këtë skandal në studio televizive?
A janë kthyer ndonjëherë 2.52 milionë kilogramë grurë në rezervat e shtetit?”, ka pyetur ministri Murati.
Sipas Muratit, për këtë rast ka pasur një dënim të vetëm për pronarin e kompanisë “Universal Foods”, i cili është dënuar me 1 vit burg me kusht dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.


