Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka reaguar deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdullah Hoti, i cili ka deklaruar se ambienti për biznes në vitin 2023 është përkeqësuar në të gjitha aspektet krahasuar me vitin 2017. Murati ka thënë se kreditimi i bizneseve në tetor të vitit 2017 ka qenë në nivelin 1.54 miliard euro, kurse në tetor të vitit 2023 ka qenë 2.93 miliardë euro, pra gati dyfishim. Edhe nëse e shikojmë si përqindje e BPV-së, na del se në vitin 2017 kreditimi i bizneseve ishte në nivelin prej 24.2% të BPV-së, kurse në vitin 2023 kjo shifër është në nivelin e 30% të BPV-së. Pra, të gjitha statistikat objektive e të matshme e demantojnë rezultatin e studimit.
Sipas tij, në vitin 2017 të hyrat tatimore të mbledhura nga Dogana dhe ATK-ja ishin 1.49 miliardë euro, në vitin 2023 kjo pritet të jetë 2.50 miliardë euro. Pra, janë mbi 1 miliardëeuro rritje në mbledhje të tatimeve nga këto dy institucione, pa rritur asnjë normë tatimore. Rrjedhimisht, demantohet edhe rezultati i studimit se ka përkeqësim të efikasitetit të Doganës e ATK-së, apo përkeqësim të informalitetit.
Sipas Muratit, një indikator, megjithatë, që paska rënë në 0 për vitin 2023 nga 47.3 sa paska qenë në vitin 2017, qenka “Haraçi”. Për këtë mund të pajtohem me studimin.
“E ky studim ka shumë shpërputhje me gjendjen faktike, që len të kuptohet se, ose metodologjia e përdorur për matje është gabim, ose se, edhe një institucion arsimor/hulumtues si Riinvest është bërë instrument i axhendës së politikave ditore të opozitëbërjes. Për hir të institucionit, uroj që të jetë e para, përkundër afërsisë evidente të këtij institucioni me eksponentë të LDK-së”, vazhdon postimi i Muratit.
Më pas Murati për ta kundërshtuar pretendimin e Hotit, ka treguar se pse sipas tij kritika e deputetit opozitar nuk “qëndron”.
Kështu ministri i financave përmendi disa indikatorë si normat tatimore, ngarkesat administrative, etj.


