Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci së bashku me kandidatët për deputetë Ardian Gola e Gegë Lleshi kanë qëndruar në Gjakovë, ku kanë vizituar familjen e heroit, Xhafer Lipoveci e të dëshmorit Kasim Uka.
Ministri Maqedonci tha se kanë rikujtuar sakrificën e dëshmorëve që duhet të na shërbejë si inspirim për të ecur drejt së ardhmes dhe se ata duhet të jenë motivi i angazhimit dhe përkushtimit për ne.

“Në Gjakovën e luftës e sakrificës, sot bashkë me kandidatët për deputetë Ardian Gola e Gegë Lleshi, vizitova familjen e heroit të kombit, Xhafer Lipoveci e të dëshmorit Kasim Uka.
Dy luftëtarë në të njejtën brigadë; Brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare. Dy të rinj me një ëndërr të përbashkët, atë të çlirimit.
Heroi i kombit Xhafer Lipoveci ra dëshmor në vijën e parë të frontit gjatë luftimeve për thyerjen e kufirit artificial shqiptaro-shqiptar. E po ashtu si dhe Xhaferi, Kasimi nuk kurseu jetën në Betejën e Koshares kundër okupatorit serb.
Në janarin e betejave, rikujtuam sakrificën e dëshmorëve që duhet të na shërbejë si inspirim për të ecur drejt së ardhmes. Le të jenë ata motivi i angazhimit dhe përkushtimit për ne. Le të jemi ne ata, që vazhdojnë rrugën e së mirës e drejtimin e shumë brezave para nesh.
Lavdi jetës dhe veprës së tyre!”, ka bërë të ditur ministri Maqedonci përmes një njoftimi në facebook.


