Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i ka drejtuar një kërkesë publike deputetit të LDK-së, Besian Mustafa për tërheqjen e deklaratave të tij dhe kërkimfalje publike, pas pretendimeve të këtij të fundit në një status në Facebook.
Sipas ministrit Çeku, pretendimet e deputetit Mustafa lidhur me “hall financiar” në procedurat e stadiumeve dhe “subvencione për vëllain” e tij janë tërësisht të pavërteta dhe përbëjnë shpifje me qëllim dëmtimin e integritetit të tij. Ai ka theksuar se në bazë të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, kërkon që deklaratat e bëra të tërhiqen dhe të pasohet me një kërkimfalje publike brenda shtatë ditëve, përkatësisht deri më 20 mars 2025.
“Nëse nuk e bën tërheqjen dhe kërkimfaljen brenda shtatë ditësh, pra deri më datën 20 mars 2025, unë do të dorëzoj padi për shpifje në gjykatën kompetente”, ka deklaruar ministri Çeku.


