Mbrojtësi i viktimave në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krsniqit, ka parashtruar dy ekspertiza për pranim në prova materiale.
Kjo u bë e ditur përmes konferencës javore të DhSK-së nga zëdhënësi Michael Doyle, i cili tha se njëra nga ekspertizat trajton dëmin psikologjik që kanë pësuar viktimat në këtë proces, ndërsa tjetra atë material, raporton Betimi për Drejtësi.
Veç kësaj, mbrojtësi i viktimave kishte kërkuar gjithashtu edhe akt-ekspertiza nga gjykimi i Salih Mustafës dhe ajo nga i Pjetër Shalës të pranohen në prova materiale, me arsyetimin se ato kanë të bëjnë me viktima që janë pjesë e procedurave në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Veç kësaj, Doyle tregoi se në të njëjtën çështje është hedhur poshtë një kërkesë të mbrojtjes së Veselit për të apeluar dy vendime të mëparshme të gjykatësve në lidhje me pranueshmërinë e provave.
“Trupi gjykues konstatoi se vlera provuese e provave të paraqitura nuk zhbëhej prej efektit dëmtues ndaj të akuzuarit”, tha ai.
Sipas Doyle, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit për ndikim të pretenduar ndaj dëshmitarëve, gjykatësja e procedurës paraprake hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes së Smakajt për të apeluar vendimin e saj të mëparshëm në lidhje me kërkesën e të akuzuarit për pezullim të procesit, për shkak se kërkesa u dorëzua pas afatit.
“Në vendimin e saj të fundit, gjykatësja e procedurës paraprake shpjegoi gjithashtu se, edhe nëse kërkesa do të ishte dorëzuar në kohë, leja për apel nuk do të ishte miratuar sepse pika e parë dhe pika e dytë që ngriti mbrojtja në kërkesë thjesht shprehin mospajtim me vendimin e mëparshëm të gjykatëses, ndërsa pika e tretë e ngritur nga mbrojtja përbënte shtrembërim të qartë të vendimit të gjykatëses”, tha ai.
Doyle theksoi se Keneth Roberts është dorëhequr nga regjistri i gjyqtarëve ndërkombëtar në DhSK. Veç kësaj, tregoi edhe që më 15 dhe 16 maj pritet të mbahen seancat e Apelit ndaj Pjetër Shalës.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.