Rafael Leao do të qëndrojë te Milani, pavarësisht interesimit nga Bayern Munich dhe Barcelona, ka konfirmuar trajneri i ri i kuqezinjve, Massimiliano Allegri.
Gjatë prezantimit të tij si trajner i Milanit, Allegri tha qartë se Leao mbetet pjesë kyçe e projektit të tij, dhe se klubi nuk ka ndërmend ta shesë sulmuesin portugez këtë verë.
Leao ka edhe tre vite kontratë me klubin dhe ka qenë shpesh në qendër të spekulimeve për një transferim të mundshëm, por Allegri theksoi se ai mund ta nxjerrë versionin më të mirë të yllit të Milanit.
“Rafa mund të bëjë gjëra të jashtëzakonshme sezonin e ardhshëm. Jam i sigurt se mund të nxjerr atë diçka më shumë që i ka munguar”.
“Jam i lumtur që ka qëndruar. Tani është më i përgjegjshëm, më i pjekur dhe ka të gjitha cilësitë për t’u bërë një nga më të mirët”.
“Shpresoj ta ndihmoj të performojë edhe më mirë. Po i afrohet moshës së pjekurisë dhe besoj se është më i vetëdijshëm për rolin e tij”.
“E kam takuar, kam folur me të dhe mendoj se ekzistojnë të gjitha kushtet për të bërë mirë”, ka thënë italiani.
Barcelona kishte treguar interes të vazhdueshëm për Leaon, veçanërisht pasi Nico Williams refuzoi një transferim në ‘Camp Nou’ për të dytin vit radhazi.
Megjithëse katalanasit kanë marrëdhënie të mira me agjentin e Leaos, Jorge Mendes, ata tani duhet të kërkojnë alternativa./