Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) e ka pezulluar zgjedhjen e rektores së re të Universitetin të Mitrovicës “Isa Boletinit”.
Në një njoftim për media thuhet se deri te pezullimi ka ardhur pasi që ka pranuar njoftime dhe ankesa lidhur me pretendimet për shkelje të rregullave ligjore gjatë të gjitha fazave të këtij procesi.
Sipas MAShTI-t, si pasojë, këto pretendime dhe ankesa u janë drejtuar organeve të brendshme të MAShTI-t, përgjegjëse për vlerësimin e ligjshmërisë së këtij procesi.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit duke u mbështetur në Ligjin e Arsimit të Lartë, Statutin e Universitetit dhe legjislacionin sekondar, ka kompetencën për të garantuar zbatimin e ligjit në institucionet e arsimit të lartë. MAShTI njofton se si organ i shkallës ankimore sipas statutit të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” do të shqyrtojë këto ankesa sipas ligjit në fuqi. Derisa organet e MAShTI-t të vendosin mbi ligjshmërinë e procesit sipas autorizimeve ligjore, vendimi i zgjedhjes se rektorit/es do të jetë i pezulluar”, thuhet në njoftim.
Tutje, Ministria e Arsimit, Shkencë, Teknologjisë dhe Inovacionit thekson se është e përkushtuar dhe angazhohet për respektim të plotë të ligjshmërisë, transparencës dhe integritetit të këtij procesi.
Shkelje të shumta
Merita Shala është zgjedhur si rektore e re në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” tri ditë më parë.
Por siç merr vesh KosovaNeës në këtë proces ka pasur shkelje të shumta. Fillimisht mbledhja është mbajtur nga anëtarët e brendshëm të Këshillit Drejtues në mungesë të kryesuesit dhe zëvendës kryesuesit të Këshillit në kundërshtim me Ligjin për Arsimin e Lartë, Statutin e Universitetit dhe Rregulloren mbi Punën e Këshillit Drejtues.
Po ashtu, siç kuptojmë ky proces është zhvilluar pas pranimit të opinionit të Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP) që konstaton shkelje në konkurs.
Në bazë të informacioneve tona, zgjedhja e Merita Shalës është bërë vetëm nga katër anëtarë të Këshillit Drejtues të Universitetit, ndërsa kanë munguar tre anëtarë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Në bazë të Statutit në marrjen e vendimeve të Këshillit Drejtues duhet të jenë prezent 2/3 e anëtarëve, që nënkuptohet minimumi 5 anëtarë, ndërsa në mbledhjen e mbajtur me 24 Korrik 2023 ku është bërë zgjedhja e rektores së re, kanë qenë vetëm katër.