Qeveria e Kosovës, vitin 2022 e ka shpallur vit të personave me aftësi të kufizuar dhe në kuadër të kësaj ka ndërmarrë disa veprime për të përmirësuar pozitën nxënësve dhe studentëve të kësaj kategorie gjatë shkollimit të tyre.
Në këtë kuadër sot ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka ndarë laptopë për studentët me nevoja të veçanta, të cilët studiojnë në universitete publike të Kosovës, raporton KosovaNews.
Nagavci ka thënë se, kjo kategori e studentëve përballen me sfida të shumta, ndërsa i përgëzoi për kurajon dhe angazhimin në punën e tyre akademike, në të mirën e shoqërisë.
Duke folur për vështirësitë sa i përket infrastrukturës fizike dhe qasjen e vështirë nëpër fakultetet ku studiojnë, ministrja Nagavci i inkurajoi studentët që të adresojnë secilën kërkesë të tyre e cila ua bën më të lehtë punën gjatë studimeve.
“Si Ministri e Arsimit kemi ndërmarrë një varg veprimesh konkrete për të përmirësuar pozitën e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe familjeve të tyre, si punësimi i asistentëve, përkrahja financiare përmes bursave si dhe veprime të tjera. Angazhimi ynë për ta nuk do të ndalet dhe do të jetë i vazhdueshëm”, ka thënë ministra Nagavci.


