Kosova ka bërë përparim në luftën ndaj korrupsionit është thënë sot në raportit e publikuar nga organizata ndërkombëtare “Transparency International” për vitin 2022.
Pas publikimit të raportit ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili tha se luftimi i korrupsionit ishte ndër kërkesat kryesore të qytetarëve dhe prioriteti qeveritar.
Ai tha se për gati një dekadë Kosova ishte e ngujuar mes pozitave 105/104, pra nga viti 2012 deri në vitin 2020.
“Për vetëm dy vite të qeverisjes sonë jemi përmirësuar për 20 vende, nga vendi 104 sa ishim në 2020 në vendin 84 në vitin 2022. Nëse këtë progres do ta përkthenim në shpejtësinë e lëvizjes, për 8 vite Kosova ishte duke lëvizur në shpejtësinë e parë kurse me qeverinë tonë në dy vitet e fundit jemi në shpejtësinë e 20. Ky është potenciali që kemi si shtet e si shoqëri”, ka shkruar Kurti.
Ai theksoi se kjo është shpejtësia me të cilën mund ecim si shtet e duhet të ecim drejt së ardhmes kur qeveriset pastër, me dije e me integritet.
“E unë jam i bindur, që populli ynë e shteti ynë ka potencial më shumë se kaq. Ky potencial ishte mohuar nga elitat politike të korruptuara që duke e pasuruar veten na e vjedhnin të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë. Ne do të vazhdojmë të qeverisim mirë e ndershëm. Do të vazhdojmë të realizojmë pritjet e qytetarëve e të kryejmë detyrat tona. Bashkë do të avancojmë demokracinë, rrisim mirëqenien, përmirësojmë imazhin dhe fuqizojmë Republikën tonë”, ka shkruar Kurti në rrjetin social.
Në një matës nga 0 deri në 100 pikë, sipas TI-së, Kosova ka grumbulluar 41 pikë në luftën ndaj korrupsionit. 100-shi është vlera për vendin shumë të pastër nga korrupsioni.
Në Indeksin e sivjetmë të Perceptimit të Korrupsionit, Kosova radhitet në vendin e 84-t me 41 pikë, dy më shumë se vitin e kaluar.
Ky është niveli më i lartë i pikëve në 10 vjetët e fundit për Kosovën, megjithatë TI thekson se Kosova vazhdon të mos e ketë nën kontroll korrupsionin.
“Kosova (41) ka bërë përparim me kornizë të përmirësuar të ligjit për financimin e fushatave politike dhe zgjedhore, por zbatimi i reformave të tilla do të jetë kyç në muajt e ardhshëm. Qeveria duhet ta përmirësojë ende transparencën dhe të përmbahet nga çdo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Edhe pse vitin e kaluar nuk ka pasur skandale të korrupsionit që kanë dalë në dritë, kjo s’do të thotë se korrupsioni është nën kontroll. Shpenzimet e ulëta buxhetore për investime kapitale në vitet e fundit kanë ulur mundësitë për korrupsion në shpërndarjen e kontratave publike, që ka qenë problem i së kaluarës”, thuhet mes tjerash në raport.


