Klima ju ndihmon të freskoheni, por nëse nuk e përdorni siç duhet, rrezikoni inflamacion të sinuseve, dhimbje koke dhe probleme me frymëmarrjen
Ditëve më të nxehta, shumë prej nesh përdorin kondicionerët, në makina, në zyra, por edhe në shtëpi. Megjithatë, përdorimi i klimës mund të ketë ndikime të dëmshme në shëndet, sidomos nëse nuk mirëmbahen ose nuk përdoren siç duhet.
Një nga problemet shëndetësore më të shpeshta të lidhura me përdorimin e kondicionerëve është inflamacioni i sinuseve, që mund të shkaktohet nga disa faktorë të lidhur drejtpërdrejt me mënyrën si i përdorim pajisjet.
Si ndikon klima në zhvillimin e inflamacionit të sinuseve?
Sinuset janë zgavra të mbuluara me mukozë, të vendosura në kockat e kafkës. Ato kanë funksionin për të lagështuar, ngrohur dhe pastruar ajrin që thithim. Kur klima përdoret në mënyrë të gabuar ose nuk pastrohet rregullisht, ndikon negativisht në këto struktura delikate, transmeton Telegrafi.
Këtu janë disa nga faktorët që kontribuojnë në inflamacionin e sinuseve:
• Thatësia e tepërt e ajrit – klima mund të thajë ajrin, duke shkaktuar tharje të mukozës së hundës dhe sinuseve, gjë që i bën ato më të ndjeshme ndaj infeksioneve.
• Filtra të papastër – nëse filtrat nuk pastrohen apo nuk ndërrohen rregullisht, ato mbledhin pluhur, myk, alergjenë dhe baktere, të cilat më pas qarkullojnë në ajër dhe irritojnë mukozën.
• Temperaturat shumë të ulëta – ekspozimi i gjatë ndaj ajrit të ftohtë mund të dobësojë imunitetin lokal dhe të rrisë rrezikun e infeksioneve të sinuseve.
Simptomat e inflamacionit të sinuseve
Shenjat mund të jenë të lehta apo të rënda. Disa nga simptomat më të zakonshme përfshijnë:
• Dhimbje koke – kryesisht në ballë, rreth syve, faqeve apo hundës, që mund të jetë pulsuese ose e vazhdueshme.
• Dhimbje në zonën e sinuseve – shtohet gjatë përkuljes ose prekjes së fytyrës.
• Hundë e bllokuar ose rrjedhje e hundës – që e bën frymëmarrjen të vështirë.
• Dhimbje fyti dhe kollë – për shkak të sekretit që rrjedh nga sinuset në fyt.
• Dobësi dhe lodhje – ndjesi e përgjithshme e mungesës së energjisë.
• Temperaturë e lartë – në rastet kur shkaktari është infeksion bakterial.
Si trajtohet inflamacioni i sinuseve?
Nëse shfaqen simptomat, është e rëndësishme të konsultoheni sa më shpejt me një mjek otorinolaringolog. Ai do të bëjë ekzaminimin, do të vlerësojë gjendjen e mukozës dhe do të përshkruajë trajtimin e duhur, në varësi të shkakut dhe ashpërsisë së gjendjes.
Në rastin e infeksioneve bakteriale, mund të përshkruhen antibiotikë. Po ashtu përdoren barna anti-inflamatore dhe kundër dhimbjes për të lehtësuar simptomat. Rekomandohet gjithashtu shpëlarja e hundës me solucion fiziologjik, si dhe përdorimi i pikave për hundë për të mbajtur mukozën të lagësht dhe për të përmirësuar frymëmarrjen.
Si ta përdorni kondicionerin pa rrezikuar shëndetin?
Pastroni filtrat rregullisht – së paku një herë në muaj gjatë sezonit të verës. Filtrat e ndotur janë burim bakteresh dhe myku.
Mos e vendosni temperaturën shumë të ulët – rekomandohet që diferenca me temperaturën jashtë të mos jetë më e madhe se 6-8°C.
Ajrosni ambientet shpesh – pavarësisht përdorimit të klimës, hapni dritaret disa herë në ditë për të qarkulluar ajrin natyral.
Përdorni lagështues ajri (humidifikator) – për të shmangur tharjen e mukozës, sidomos në dhomat ku qëndroni gjatë.
Shmangni qëndrimin direkt përballë ajrit të ftohtë – veçanërisht kur jeni të djersitur, për të mos rrezikuar ftohje apo infeksione të sinuseve.
Shikoni për simptomat herët – dhimbja e kokës, hundët e bllokuara apo sekrecionet e pazakonta janë sinjale për t’u konsultuar me mjekun.