Zëvendës Sekretari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arben Loshi, ka njoftuar sot deputetët e Kuvendit lidhur me regjistrimin zyrtar të kërkesës KO124/25 nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.
Në njoftim theksohet se kjo kërkesë është dorëzuar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, lidhur me çështjen e kushtetutshmërisë së “Vendimit të datës 5 maj 2025 për formimin e Komisionit për votimin e fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Deputetët janë të ftuar që të paraqesin komentet e tyre me shkrim në lidhje me këtë çështje, jo më vonë se data 19 maj 2025. Gjykata Kushtetuese ka caktuar këtë afat për të mundësuar shqyrtimin e plotë të argumenteve përkatëse para marrjes së ndonjë vendimi përfundimtar.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur tensionet politike përreth procesit të zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit kanë tërhequr vëmendjen e publikut dhe institucioneve të pavarura.
