Kuvendi i Kosovës ka nisur në orët e paraditës së të premtes një seancë të re plenare, në të cilën po mbahet një interpelancë, e po shqyrtohen disa projektligje e rekomandime.
Derisa po mbahet interpelanca ka pasur debat të ashpër mes deputetëve të opozitës e pozitës, lidhur me çështjen e pagave të mësimdhënësve.
Në fjalën e saj shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk mund ta lëmë jashtë faktin se nxënësit kanë humbur 12 për qind të programit të vitit shkollor, sa mbajhej grevë e organizuar nga SBAShK-u.
Kështu ka thënë ajo nga foltorja e Kuvendit, ku po mbahet interpelancë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin.
“Është natyrshme të ndeshen pozitë dhe opozitë, por nuk mund ta lëmë jashtë faktin se nxënësit kanë humbur 12 për qind të programit të vitit shkollor”.
Ajo ka shtuar se ligji ia ndalon kujtdo që privon fëmijët nga shkollimi.
“Është fakt se e kemi ligjin i cili e ndalon këdo të privojë këdo të ndalojë fëmijët nga shkollimi”., ka thënë Kusari-Lila, deri sa ka cituar ligjet që u garantojnë shkollimin nxënësve.
Ajo tha se Ministria e Financave do të procedojë pagat, por duhet që paraprakisht të ketë zotim se orët e humbura do të mbahen.


