Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Armend Muja, dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, janë takuar me përfaqësues të Shoqatës së Prodhuesve dhe Përpunuesve të Qumështit.
Fokusi i këtij takimi të përbashkët ishte gjetja e zgjidhjeve konkrete për të mbështetur prodhuesit vendorë në këtë industri.
“Në qendër të diskutimit ishte konkurrenca nga produktet e importuara. U theksua rritja e importit të qumështit pluhur dhe vajit të palmës, të cilat po ndikojnë në cilësinë dhe çmimin e produkteve vendore. Prodhuesit vendorë ngritën shqetësimin se produktet e importuara po shiten më lirë, ndërsa ata nuk kanë mbështetje të mjaftueshme për të konkurruar”, thuhet në njoftim.
Gjatë diskutimit u prezantuan edhe masat që pritet të merren nga institucionet për ndihmë ndaj këtij sektori të prodhimit në Kosovë.
Disa prej hapave konkretë që u diskutuan janë forcimi i kontrolleve në kufi dhe në treg, verifikimi më i saktë i përmbajtjes së produkteve, mundësia për masa fiskale për vajin e palmës dhe qumështin pluhur, subvencione për fermerët, mbështetje për ruajtje dhe përpunim si dhe etiketim më i qartë për mbrojtjen e konsumatorit.
Tutje theksohet se ky sektor kërkon bashkëpunim dhe bashkërendim në mes institucioneve dhe industrisë. “Vetëm përmes veprimeve të përbashkëta mund të adresohen problemet dhe të sigurohet një sektor i qëndrueshëm i qumështit në Kosovë”, thuhet në njoftim.


