Kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, ka treguar për takimet e zhvilluara gjatë qëndrimit dyditor në Shtutgart të Gjermanisë. Kurti ka thënë se i ka ftuar kompanitë gjermane që të vizitojnë Kosovën për të parë nga afër përparësitë edhe kushtet që vendi ynë ofron për investime.
“Qëndrimin dyditor në Shtutgart të Gjermanisë dje e fillova me pjesëmarrjen në ceremoninë hapëse të Forumit Ekonomik “Global Connect 2022”. Aty, përveç prezantimit tim për progresin e shënuar në vend dhe prioritetet e Qeverisë, pata kënaqësinë ta vizitoj edhe shtadin e Republikës së Kosovës në këtë forum”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka thënë se bashkë me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, patën dy takime shumë pozitive me ministren e Ekonomisë, Punës dhe Banimit, Dr. Nicole Hoffmeister-Kraut dhe Sekretarin e Shtetit për Koordinim Politik dhe Evropë të landit të Baden-Württemberg, Florian Hassler.
“Me ministren Hoffmeister-Kraut folëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare, dhe për mundësitë që Kosova ofron për bizneset gjermane. Kurse me Sekretarin Hassler, folëm për rolin e rëndësishëm të diasporës dhe agjendën dhe aspiratat e Republikës së Kosovës për integrim euro-atlantik. Nga të dy, morëm mbështetje për punën dhe synimet tona. Me ftesë të Këshillit Ekonomik Wirtschaftsrat der CDU, pata një drekë pune me përfaqësues të kompanive anëtare, dhe përfaqësues politikë të nivelit lokal dhe federal. I ftova që të vizitojnë Kosovën për të parë nga afër përparësitë edhe kushtet që vendi ynë ofron për investime të huaja. Po ashtu, vizitova Baden-Württemberg Stiftung, i themeluar në vitin 2000 si Fondacion Shtetëror e që aktualisht është një nga fondacionet më të mëdha të së drejtës private në Gjermani, për të diskutuar bashkëpunimin e mundshëm në fushën e shkencës dhe edukimit”, shkruan ndër të tjera kryeministri Kurti.
Ai tregon se ditën e përmbyllën me një takim të përzemërt me studentë dhe shoqata shqiptare që veprojnë në Baden-Württemberg, me të cilët pati një bisedë të hapur.
“Falënderues për mikpritjen e ngrohtë, kontributin e vazhdueshëm dhe interesimin për zhvillimet në vend dhe zhvillimin e vendit. Në ditën e dytë të vizitës sime në Shtutgart, takova drejtuesit e ndërmarrjeve Bosch, Datagroup SE dhe Zeiss. Theksova mundësitë dhe mjedisin e favorshëm për investime në Kosovë, pozitën gjeografike dhe stabilitetin institucional. Qeveria mbetet e përkushtuar për zhvillimin dhe rritjen e industrisë së teknologjisë së informacionit në vend nëpërmjet një agjende digjitale gjithëpërfshirëse”, përmbyll shkrimin e tij Kurti. /KosovaNews