Kryeministri Kurti ka bërë humazhe te varrezat në lagjen e Re dhe në Rakoc, ku ranë 28 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa 32 qytetarë të pafajshëm u vranë nga forcat serbe.
Në mëngjesin e 9 prillit 1999, qyteti i Kaçanikut u gjet i rrethuar nga forcat e ushtrisë dhe policisë së Serbisë, të cilat sulmonin pa mëshirë popullatën civile, duke granatuar dhe shkaktuar shkatërrim të gjithanshëm. Gjatë betejave heroike në Lagjen e Re dhe në Rakoc, ranë 28 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa 32 qytetarë të pafajshëm u vranë nga forcat serbe.
“Në këtë ditë përkujtimore, qytetarët e Kosovës mbledhen pranë lapidarëve të dëshmorëve në Lagjen e Re, në Rakoc dhe në Kompleksin Memorial të Kaçanikut, si dhe në të gjitha varrezat e martirëve të luftës në vend. Ky moment nuk është vetëm një nderim për ata që ranë për lirinë e Kosovës, por edhe një mundësi për të reflektuar mbi sakrificën e madhe që ata dhanë dhe për të kujtuar se çmimi i lirisë është i papërshkrueshëm.
Muaji prill është gjithashtu një muaj i ngarkuar me kujtime të dhimbshme, duke përkujtuar viktimat e masakrave dhe krimeve të gjenocidit që Serbia kryen në Kosovë gjatë vitit 1999. Të gjitha këto krime, të ndodhura në fshatra si Rezalla, Lybeniq, Çabrat, dhe shumë të tjera, janë pjesë e një plani të egër dhe të organizuar për shfarosjen e popullsisë shqiptare, për spastrimin etnik dhe për realizimin e qëllimeve hegjemoniste të Serbisë për një “Serbi të Madhe”.
Në këtë përvjetor, kujtojmë me dhimbje dhe nderim civilët e vrarë dhe të zhdukur gjatë kësaj periudhe, si dhe përkujtojmë luftën dhe sakrificat që na sollën lirinë. Përballë këtij gjenocidi dhe brutaliteti, përgjigja jonë është forcimi i shtetit të Kosovës dhe vendosja e drejtësisë për çdo viktimë. Ky është një detyrim moral dhe universal ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën për një të ardhme më të mirë për popullin e Kosovës.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm, është koha për të reflektuar, për të nderuar, dhe për të shtuar angazhimin tonë për një Kosovë të fuqishme, të drejtë dhe të lirisë së vërtetë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.