Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot masakrën e Nakaradës ku u vranë 16 burrat dhe djemtë e familjes Mirena.
Ai ka thënë se familjet jetuan në ankthin e pritjes, pa ditur për fatin e tyre për shtatë vite. Në vitin 2006, u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit (nga e cila u zhvarrosën gjithsej 744 shqiptarë të Kosovës).
“Hetimet për masakrën në Nakaradë i kishte filluar UNMIK-u në vitin 2000. Në vitin 2008, dosja i ishte dorëzuar EULEX-it, ndërsa në 2018 çështja u dërgua në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Ende nuk janë dënuar autorët e as urdhërdhënësit e kësaj masakre. Bëjmë thirrje edhe njëherë që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë me ngulm, për të sjellë drejtësi për Nakaradën dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar Albin Kurti.