Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me raportimet dhe deklaratat për gjendjen e skarpatave në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Basha ka bërë të ditur se Ministria ka nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës, duke mohuar pretendimet se bëhet fjalë vetëm për “heqje dheu”.
“Pra nuk bëhet fjalë për ‘heqje dheu’, siç po manipulon Kryetari Rama dhe siç është raportuar në disa portale, por për projekte të sanimit të plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës”, ka shkruar Basha.
Ai ka reaguar edhe ndaj ndërlidhjes së aksidentit tragjik të fundjavës me gjendjen e autostradës, duke e cilësuar këtë si manipulim politik.
“Siç është e njohur për publikun, autostrada ka qenë e pastruar nga dheu në momentin kur ka ndodhur aksidenti tragjik. Ne po presim raportin zyrtar të Policisë së Kosovës dhe refuzojmë të bëhemi pjesë e manipulimeve politike që tentojnë të përfitojnë nga tragjeditë njerëzore”, ka deklaruar ai.
Në reagimin e tij, Basha i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës, ndërsa ka akuzuar kundërshtarët politikë për shfrytëzim të rastit për përfitime politike.
“Familjes të së ndjerës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Na vjen keq që, përveç dhimbjes që ka shkaktuar ky aksident, Kryetari Rama dhe disa të tjerë po përpiqen të nxjerrin përfitime politike nga kjo tragjedi”, thuhet në reagimin e ministrit në detyrë.
Në fund, ai ka kritikuar ashpër kundërshtarët politikë, duke shtuar se “nga mashtruesit dhe manipuluesit nuk pritet më shumë”.


