Është certifikuar gjenerata e re e Kualifikimit të Nivelit V Post-Sekondar për Asistent për Nxënës me Nevoja të Veçanta Arsimore, organizuar nga Qendra Profesionale për Gjithëpërfshirje në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë nga OCN London, Mbretëria e Bashkuar.
Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për avancimin e arsimit gjithëpërfshirës dhe mbështetjen e nismave që fuqizojnë profesionistët e arsimit dhe krijojnë mundësi më të mira për fëmijët dhe të rinjtë.
Ai vlerësoi rolin e këtyre profesionistëve në mbështetjen e fëmijëve dhe në ndërtimin e shkollave ku secili nxënës ndihet i barabartë dhe i përfshirë.
Duke iu drejtuar kandidatëve të gjeneratës së re, ai tha se ata po nisin një rrugëtim profesional me rëndësi të veçantë për shoqërinë, pasi përmes punës së tyre do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Bleona Kelmendi, këshilltarja e ministrit në detyrë të Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, së bashku me përfaqësues institucionalë, partnerë ndërkombëtarë, profesionistë të arsimit dhe kandidatët e gjeneratës së re, me qëllim promovimin e arsimit gjithëpërfshirës dhe fuqizimin e profesionistëve që do të kontribuojnë në mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta arsimore.


