Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria ka miratuar vendimin për pranimin e kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për strehimin e përkohshëm të shtetasve të vendeve të treta.
“Sot, gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me partnerin dhe aleatin tonë, SHBA-në, e përkthyem në vendim të Qeverisë, në mbledhjen tonë të 262-të”, ka thënë Kurti.
Sipas këtij vendimi, Kosova do të pranojë dhe strehojë deri në 50 persona gjatë një periudhe njëvjeçare, me qëllim lehtësimin e kthimit të tyre të sigurt në vendet e prejardhjes.
Lexo po ashtu:
Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, sipas kritereve të përcaktuara që lidhen me sundimin e ligjit dhe rendin publik.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, të strehuarit do të jenë të detyruar t’u përmbahen ligjeve në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e garantuara nga legjislacioni i Kosovës.
Kurti theksoi se marrëdhëniet me SHBA-në mbeten të qëndrueshme dhe strategjike.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, veçanërisht për mbështetjen në mbrojtje, zhvillim dhe në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik”, ka deklaruar Kurti.