Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar edhe nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, kanë vizituar sot bujqit në komunën e Gjilanit, të cilët këto ditë po e lëvrojnë tokën dhe po e bëjnë gati për të mbjellat vjeshtore.
Kurti tha se pas korrje-shirjeve vjen mbjellja e re dhe për këtë arsye doli që t’i shoh nga afër punët që po bjënë bujqit.
“Nga 5 deri me 30 tetor është koha ideale për drithërat. Këtë po e bën bujku Osman Osmani nga Mireshi i Gjilanit, i cili tash e tetë ditë po lavron, ku sivjet po i mbjellë 10 hektarë me grurë e 10 të tjera me misër. Pas rritjes së rendimentit këtë verë, po shtohen edhe mbjelljet këtë vjeshtë. Në vitin 2022 është rritur për 15.5% sipërfaqja e mbjellë me grurë dhe për 91% ajo me misër”, ka shkruar Kurti.
Ai rritjes së sipërfaqes së mbjellë me kultura bujqësore ia atribuoi rritjes së përkrahjes që ka bërë Qeveria e Kosovës viteve të fundit për gjithë kulturat bujqësore.
“Krahasuar me 2021 përkrahja qeveritare për mbjelljen e grurit është rritur për 216% për hektar, kurse për atë të misrit 119% për hektar”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Albin Kurti ka ndarë edhe një situatë paksa qesharake që i ka ndodhur gjatë vizitës së bujqësve në komunën e Gjilanit, ku është ndjekur nga një gazetare që e pyeste për temën e dialogut dhe takimin me emisarit e BE-së, Misoslav Lajçak.
“Teksa bisedonim me bujqit, gazetarja që na ndiqte nëpër ara po më pyeste me insistim për Lajçakun. Unë e pyeta traktoristin për Lajçakun, por ai tundi kokën e i dha gaz traktorit”, ka shkruar Kurti./KosovaNews/