Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka thënë se është i shqetësuar seriozisht me motivimin jo të duhur të xhudistes mitrovicase Laura Fazliu.
Fazliu, që garon në kategorinë deri 63 kilogramë, në Grand Slamin në Baku përfundoi e shtata të shtunën.
Ajo aktualisht është e dyta në renditje botërore në kategorinë e saj.
Kuka ka analizuar paraqitjet e Nora Gjakovës, Laura Fazliut, Dardan Cenës dhe Loriana Kukës në Grand Slamin e Bakus.
“Laura e 7 në kategorinë e saj ku realisht do duhej të fitonte medalje, por luftoi pa motiv të duhur për medalje dhe kriza e saj tashmë po më shqetëson seriozisht! Të luftosh në gara të mëdha është dhe duhet të jetë nder e përgjegjësi! Jannë ndërtuar kampione olimpike në ekipin tim, por me garuese që dalin e luftojnë deri në atomin e fundit dhe kjo është me rëndësi. Në fakt mua si trajner më duhen luftëtarë të pakompromisë! Do të vazhdoj të punoj drejt medaljes olimpike në ‘Paris 2024’, por me garues që duan dhe luftojnë për medalje. Dua të besoj që 5 garuesit tonë që janë kualifikuar për Lojërat Olimpike do të jenë me zemër e shpirt luftëtarë, e jo ndryshe, drejt medaljes olimpike”, ka shkruar Kuka në Facebook.


